Me sy në gjyqin e Hagës

Sllobodan Millosheviq

Bota Sot 2002 Nuk doja të shihja asgjë nga gjykimi i kryekriminelit. Mendoja të dëgjoja vetem raportin e korrrespondentëve tanë, duke përcjellur nga larg gjykimin e shekullit. Por, i vura zemrës një gur dhe u vendosa para ekranit gjithe ditën. Gjithë ditën e lume, që kishim pritur me vjet!

Dhe, pashë edhe më shumë se prita: pashë se si gjykonte botën krimineli!

Aty, si një film i tmerrshëm m’u shfaq parasysh gjithë llahtari i terrorit të përgjakshëm. Zëri i tij më solli klithmat e tmerrshme të të gjithë të masakruarve në mënyrën më mizore. M’u paraftyruan trupat e tyre të hedhur si lecka të vjetra, apo të futur grumbull nëpër gropa dheu… Por, në fytyrën e të ulurit në bankën e zezë asnjë shenjë pendese. Perkundrazi! Feçka e tij po shkrihej në qeshjen plot ironi. Edhe kokën mbante lart, pa iu turpëruar vulës së turpit; vulës  së gjakut! Dhe, gulçonte bisha. Edhe i lidhur në pranga gulçonte dhe me gjuhën e gjarpërit serish tentonte ta helmonte atë botë, së cilës vetëm tragjedia e popullit të Kosovë ia hapi sytë. Dhe, zëri i  saj i ngritur kundër tij nuk ishte këmbanë kobzezë që po ia paralajmëronte fundin, se ai ende besonte fort në maskën e tij tashmë të grisur. Për atë e tëra ishte një melodi që ia përkundte gjumin, se vetëm paturpësia e tij nuk paska kufi!

E përse jo?!

Ai është i vetëdishëm se më e keqja që mund t’i ndodh është burgimi i përjetshëm. Dhe ajo nuk dhemb, sa do të dhëmbte mbytja e masakrimi. Ajo nuk dhemb, sa do të dhëmbte varja apo plumbi. Sa dhemb shpirti i mijëra njerëzve që ua cungoi gëzimin e jetës. Zija e nuseve të veja nuk e mundon fare as lotët e jetimave nuk e rëndojnë. Ai nuk e ndjen shkrumbin e nënave zemërplasura se ai nuk paska zemër e aq më pak qenka është njeri! C’rëndësi kanë gishtrinjtë e gjallë e të vdekur, kocka e hije që drejtohen drejt atij që ua solli mortjen? Të tillët nuk shohin se jan më të verbër se të verbërit sepse ua ka zë sytë gjaku i njerëzve të pafajshëm! Cfarë rëndësie kanë gjithë njerëzit që duan ta vrasin çdo ditë nga një herë, nga njëmijë herë, derisa të shpaguajnë çdo jetë me jetë? Asnjë krim, nuk paska qenë aq i rëndë sa t’ia cungojë të drejtën për të jetuar. Le të dëshirojnë t’ia derdhin gjakun, t’ia rrjepin lëkurën, t’ia shkoqin mishin, t’ia nxjerrin mushkëritë …Le të kërkojnë hakmarrje për jetët e pa jetuara. Asnjë nga jetët e varura në shpirtin meskin nuk e vlen çmimin e jetës së tij. Se, përkrah të gjithave ai do të jetojë dhe sigurisht, jo në ndonjërin nga burgjet e çelbura të Serbisë ku u dergjën e po dergjen ende vëllezërit tanë. Atij nuk do t’i shqiptohet dënimi i popullit as i Zotit, se kësaj i thonë drejtësi e shekullit 21. Burgimi i përjetshëm do të duhet të jetë mehlem për plagët e popullit tonë, edhe kur miliona vjet burgim e mijëra vdekje të tij nuk do ta kthejnë dritën e shuar në sytë e kaq njerëzve të dëshiruar aq shumë jetës, lirisë…

Ai do të jetojë!!!

Do të jetojë, apo do të ekzistojë si një lugat mes njerëzve, derisa një ditë të gëdhijë i ngulfatur nga pesha e mallkimeve!

Jeta Beqiraj, viti 2002

(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *